Enis Zaberxha, problemet nuk po i ndahen sulmuesit më të mirë të Kosovës! | ||||
|
Sulmuesi më i mirë për edicionin 2008/2009, Enis Zaberxha, assesi nuk po mund të rehatohet. Pas deklaratave që ka dhënë për medie se ai e meriton të jetë futbollisti i vitit, dhe pas mospajtimeve për humbjen e shiritit të kapitenit në KF Hysi, sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës në Futboll i ka ndodhur edhe një problem tjetër. Këtë herë “viktima” e sulmuesit ka qenë bashkëlojtari i tij, Flamur Neziri, me të cilin i ka ndërruar disa flakaresha. Ndërsa është dashur që bashkëlojtarët e tjerë të ndërhyjnë për t’i qetësuar gjakrat. Këtë lajm e ka konfirmuar një burim brenda klubit nga Merdara. Ndryshe nga Enis Zaberxha që ka pranuar se ka pasur zënkë në mes tyre, “gardiani” Flamur Neziri nuk ka pranuar një gjë të tillë. “Para disa ditësh në trening kemi pasur një zënkë me Nezirin, por çdo gjë ka përfunduar po atë ditë”, ka thënë Zaberxha. Ndërsa “gardiani” Flamur Neziri ka mohuar se ka pasur shpërndarje flakareshash apo fjalosjeje me ndonjë bashkëlojtar në skuadrën e Hysit. “Jo, nuk është e vërtetë. Unë me të gjithë lojtarët kam raporte të mira, po ashtu do të vazhdoj të kam raporte të mira. Në klub të gjithë jemi një”, ka thënë Neziri. Skuadra e Hysit, e cila llogaritet favorite për titull të kampionit në dy takimet e para të stinorit pranveror, ka marrë vetëm dy pikë, pasi ka luajtur baras me Flamurtarin në Prishtinë (0:0), po ashtu baras me Besën në Merdare (1:1).
Veton Zymberi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3518 |