Raiffeisen Superliga/ Prishtina fitoi në Prizren, Kosova (V) shkëputi një pikë në Skenderaj | ||||
|
Skuadra kampione në fuqi e Raiffeisen Superligës, Prishtina, ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në edicionin e ri. Pas fitoreve si vendase kundër Trepçës dhe Vëllaznimit, skuadra e drejtuar nga Ejup Mehmeti ka shënuar fitore edhe në Prizren kundër Lirisë, me rezultat 1:0. Ndeshja u zhvillua, të shtunën, në një terren të papërshtatshëm në stadiumin “Përparim Thaçi”, kurse golin e fitores për prishtinasit e realizoi Besnik Krasniqi, nga penalltia në minutën e 7-të, pasi më herët brenda zonës në mënyrë të palejueshme u ndal Gentrit Begolli. Ndërkohë, futbollistët e Kosovës (V) kanë arkëtuar një pikë në udhëtimin e vështirë në Skenderaj, duke e mbyllur sfidën kundër Drenicës, me rezultat 1:1. Për vushtrriasit ky ishte barazimi i dytë në këtë kampionat, krahas një fitoreje, derisa skenderajasit kanë regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e shënuar nga Labinot Jetullahu, në minutën e 19-të, por dhjetë minuta më vonë shifrat i barazoi Taulant Dajaku, me gjuajtje të saktë nga penalltia. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3045 |