Edmond Rugova : Jo “Pazarit” me Flamurtarin | ||||
|
“Pazarit” në mes të skuadrave nga kryeqyteti nuk po i vjen era e mirë, pasi ftesës së drejtorit të skuadrës së Flamurtarit, Agim Hasani, iu ka kundërpërgjigjur negativisht drejtori i FC Prishtina, Edmond Rugova, duke i thënë se skuadra kampione nuk është e gatshme t’i fillojë bisedimet me skuadrën e Flamurtarit për shkëmbimin e futbollistëve. “Ka shumë skuadra që janë të interesuara të hyjnë në bisedime me ne. Jam i informuar se skuadra e Flamurtarit është e gatshme t’i fillojë bisedimet për shkëmbim të futbollistëve, por ne s’jemi të gatshëm për marrëveshje të tilla”, ka thënë Edmond Rugova. I pyetur se a janë në planet e skuadrës sulmuesi Suad Saliagiq dhe mbrojtësi Labinot Haliti, drejtori Edmond Rugova është përgjigjur: “Nuk mund të them se janë apo s’janë këta futbollistë”.
Zhdrella e Osmani refuzojnë Prishtinën
Dy futbollistët kryesorë të KF Hysit, Metor Zhdrella dhe Labinot Osmani, e kanë refuzuar skuadrën e Prishtinës. Mesfushori ofensiv Mentor Zhdrella ka bërë të ditur se ka pasur bisedime me skuadrën e Prishtinës, por ardhmëria e tij dhe e Labinot Osmanit vazhdon të mbetet në Merdare. Madje mesfushori ka shprehur mendimin se KF Hysi me ndihmën e tyre do të shpallet kampion. “Kemi biseduar me Prishtinën, por ne do të jemi pjesë e Hysit edhe në stinorin pranveror. Do ta japim maksimumin që kjo skuadër të shpallet kampione”, ka thënë Zhdrella. Ndërsa, në anën tjetër, ish-futbollisti i gjeneratës së artë në skuadrën e Prishtinës, Edmond Rugova, e ka pranuar se ka biseduar me dy futbollistët e skuadrës së Hysit, por, sipas tij, asgjë konkrete nuk ka. “Kam biseduar me Zhdrellën dhe Osmanin, pasi më kanë interesuar disa informacione shtesë. Mirëpo, sa i përket asaj se a do të transferohen në Prishtinë këta dy futbollistë, asgjë konkrete nuk ka”, ka shtuar Rugova.
Veton Zymberi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3148 |