Ministri Xhaferri denon dhunen ne futboll! | ||||
|
Deklarata për shtyp e ministrit Ferdinand Xhaferri - Jam para jush që t’ju informoj se sot kisha në një takim Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Sekretarin e Përgjithshëm të saj dhe u bëra të qartë se ngjarjet e fundit në fushat e futbollit, konkretisht aktet e dhunës në ndeshjet Flamurtari-Kastrioti dhe Gramozi-Vllaznia janë të papranueshme, janë të patolerueshme dhe duhet mbajtur qëndrim shumë i ashpër ndaj tyre. Federata Shqiptare e Futbollit i ka të gjitha instrumentat dhe strukturat ligjore të ndëshkimit dhe Komisioni i Disiplinës pranë kësaj federate duhet të reagojë ashpër për të ndëshkuar ata gjyqtarë që prishin rregullat e një loje të ndershme. Lidhur me ngjarjen në ndeshjen Gramozi-Vllaznia, ku personeli i stafit të Gramozit, Altin Petrit Hodaj, goditi barbarisht gjyqtarin anësor, me cilësinë e Ministrit të Sporteve kam firmosur sot kallëzimin penal, bazuar në nenin 237 të Kodit Penal, që thotë “Goditja që i bëhet punonjësit që kryen detyrën shtetërore apo një shërbim publik, dënohet deri në tre vjet burg. Nga kreu i federatës u ngrit shqetësimi se në jo pak raste, kryetar bashkish apo persona të tjerë me imunitet, në kundërshtim flagrant me nenin 47 të Ligjit për Sportet, hynë në fushën e blertë. Ne do të mbështesim me forcë të gjitha vendimet e Komisionit të Disiplinës për të ndaluar për një apo më shumë vite futjen në stadium për të gjithë ata zyrtarë që do të guxojnë të hyjnë në fushën e blertë. Ftojme komunitetin e sportit, sportistë, gjyqtarë, trajnerë, zyrtarë të federatës dhe median që të jemi bashkë për të promovuar gjithnjë e më shumë rregullat e një loje të ndershme.
Enea Shtrepi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3468 |