Rudi Vata : Kampionati dhe Kupa në Shqipëri janë të fiksuara. Futbolli është zhytur në një pisllëk të madh | ||||
|
Trajneri i Vllaznisë Rudi Vata ka akuzuar ashpër sistemin e futbollit në Shqipëri e sidomos arbitrat, duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë për të hetuar atë që ai e quajti "pisllëkun e kësaj loje". Duke folur përpara gazetarëve në Shkodër, tekniku i skuadrës shkodrane dhe ish-kapiteni i ekipit kombëtar, e ka quajtur kampionatin dhe Kupën të trukuara, ndërkohë që organi i akuzës sipas tij, duhet të ndërhyjë në mënyrë urgjente, ashtu si edhe Ministria e Sporteve. “Kampionati dhe Kupa këtu në Shqipëri janë të fiksuara dhe nga dita në ditë kuptoj që futbolli është zhytur në një pisllëk të madh. Duhet të ndërhyjë urgjent Prokuroria dhe të hetojë këtë pisllëk, sepse trukimet po ndodhin hapur dhe ditën për diell, duke marrë më qafë futbollin", deklaroi Vata përpara gazetarëve Vata i referohet rastit të ndeshjes Laçi-Vllaznia, e zhvilluar në Krujë, por edhe ngjarjeve të mëparshme, që kur ai mori drejtimin e ekipit shkodran. Si një njeri që i thotë gjërat hapur, ish-kapiteni i përfaqësueses ka tronditur futbollin me akuzat e tij, duke i quajtur gjyqtarët e futbollit si njerëz të inkriminuar. Shembulli i tij për këtë ka qenë arbitri Kridens Meta, që ka gjykuar takimin e së mërkurës në Kupë, vendimtar për ekipin e Vllaznisë. “Me gjyqtarë të inkriminuar si Kridens Meta nuk ka për të pasur kurrë futboll, - shprehet Vata. - Këta shkatërrojnë gjithçka dhe është e pamundur të ndalen nëse shteti nuk vë dorë, nëse Prokuroria nuk ndërhyn dhe të hetojë gjithçka po ndodh. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë dhe t'i tregoj me detaje se çfarë bëjnë këta njerëz", shtoi ish-kapiteni i ekipit kombëtar. Rudi Vata ka kërkuar më tej edhe ndërhyrjen e Ministrisë së Sporteve, si një organ që mund të vendosë rregull në futbollin kaotik shqiptar. Sipas tij, nëse nuk hartohet një plan masash për këto fenomene negative, futbolli do të marrë fund. “Duhet që Ministria e Sporteve të ndërhyjë edhe ajo, pasi futbolli është në grahmat e fundit. Gjithçka është e fiksuar, është e trukuar". Akuzat e tij vijnë vetëm pak ditë pas dyshimeve të ngritura për ndeshjen Shkumbini-Skënderbeu në kampionat. Ndërkohë, Vllaznia ka qenë një prej skuadrave më të dënuara këtë sezon nga vendimet e gjyqtarëve, por ndeshja e dy ditëve më parë përballë Laçit, bëri që ky ekip të jetë thuajse me një këmbë jashtë Kupës së Shqipërisë. Kurbinasit nuk luanin për asgjë, por kjo nuk e pengoi gjyqtarin nga kryeqyteti Kridens Meta të jepte një penallti skandaloze dhe më tej, të bënte një arbitrim të çuditshëm. Në kampin shkodran e kanë quajtur masakër arbitrimin e Metës, një prej gjyqtarëve më të akuzuar të futbollit shqiptar, por që për çudi, sërish vazhdon të jetë në aktiv. ©Albaniasoccer.com Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3497 |