Kategoria Superiore/ Besa-Flamurtari 1-0 | ||||
|
Në Kavajë, vlonjatët prisnin kthesën e shumëpritur pas një starti sezoni më shumë se katastrofë. Me formacionin më të mirë në fushë, Rubio shpresonte se pushimi i kombëtareve do t’i kishte rigjeneruar futbollistët e tij, por në të vërtetë panorama në fushë ka qenë ajo e takimeve të para. Besa gjeti golin që në minutën e 16-të, me anë të Maliniç, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një krosim nga e djathta. Reagimi i Flamurtarit ka qenë i zbehtë, ndërsa vetëm një goditje e Muzakës në zonë, është shumë pak për të thyer portierin Alban Hoxha. Ndërkohë, kavajasit kanë shënuar edhe një gol tjetër, por që me të drejtë është anuluar për pozicion jashtë loje. Pavarësisht futjes së Sozës, Flamurtari nuk ka arritur të gjejë golin e barazimit, ndaj një ekipi të mirëvendosur në fushë nga strategu Ilir Daja. Duhet një analizë e stërgjatë të shpjegosh Flamurtarin e këtij viti. Një skuadër e ndërtuar me shifra të frikshme eurosh dhe me një synim të qartë: fitorja e titullit kampion për 100 vjetorin e Pavarësisë! Por, megjithëse mund të duket një çudi, tashmë ekipit vlonjat do t’i duhet t’i bëjë mirë llogaritë edhe me rënien nga kategoria. Me 6 pikë në 7 ndeshje, ecuria është ajo e një skuadre që duhet të luftojë për të qëndruar në radhët e më të mirëve, pasi titulli kampion mund të quhet utopi. Dje, në Kavajë, skuadra e drejtuar nga Hulian Rubio Sançez ka pësuar disfatën e radhës, duke dhuruar një tjetër paraqitje katastrofë. Duket se asgjë nuk funksionon në Flamurtarin e ndërtuar nga Shkëlqim Muça dhe që drejtohet nga ish-trajneri i Tiranës. Memelli në sulm duket i një planeti tjetër në krahasim me atë që shënonte gola pafund me fanelën e Tiranës, Muzaka duket si mish i huaj, ndërsa Veliu në mbrojtje duket se nuk ka shumë lidhje me atë të sezoneve të shkuara. Shto këtu edhe Rubion, një trajner i marrë për të zëvendësuar Muçën me rrogën faraonike të 130 mijë eurove, por që ngjan me hijen e atij që një vit më parë arriti të fitonte zemrat e tifozëve të Tiranës e ndoshta dhe më tepër. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3664 |