Itali/ Samir Ujkani : Do te tregoj vlerat e mia | ||||
|
Pavarësisht të kaluarës dhe luftës që e detyroi të shpërngulej në Belgjikë me gjithë familjen, Samir Ujkani shikon me optimizëm nga e ardhmja. Prej më pak se dy javëve ka festuar 24-vjetorin e lindjes dhe është portieri i ri i Palermos. Presidenti Xamparini dhe trajneri Sanino preferuan që numri 1 i portës të ishte ai, përpara Vivianos, një “gardian” që ndodhet edhe në orbitën e Kombëtares italiane. Klubi siçilian e ktheu në bazë Ujkanin, pasi e huazoi për disa vite te Novara, skuadër me të cilën portieri i Kombëtares shqiptare regjistroi rezultate të shkëlqyera. Nga ana e tij, kuqeziu është entuziast për faktin se do të jetë ai titullari i Palermos për sezonin e ardhshëm. “Gjatë këtyre viteve jam rritur shumë në aspektin profesional dhe dua të shpërblej besimin që më kanë dhënë. Do të tregoj në fushë sa vlej dhe shpresoj që të nis një cikël këtu te Palermo”, theksoi portieri. Ujkani vlerëson trajnerin Sanino, duke theksuar se ai i mban lojtarët të përqendruar me të bërtiturat e tij në stërvitje, dhe beson se ai është njeriu i duhur për stolin e Palermos. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për të zbuluar objektivat, Ujkani i ka idetë e qarta dhe futet menjëherë në atmosferën e derbit me Katanian. “Personalisht nuk përcaktoj objektiva dhe përqendrohem vetëm te ndeshjet. Të diel pas të diele”, nënvijëzoi portieri që më pas shtoi: “E kam të qartë rëndësinë e derbit me Katanian dhe gjatë sezonit të kaluar kam pësuar ndonjë rrjetë më tepër se çduhej nga ata”. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2154 |