Kapitenët e skuadrave favorite premtojnë futboll cilësor | ||||
|
Tre kapitenët e skuadrave favorite për të titull të kampionit, Haxhi Zeka (Besa), Isuf Llumnica (Prishtina) dhe Elvis Osmani (Trepça), kanë shprehur optimizëm se pjesa e dytë e garave, që do të nisë në fundjavë, do të sjellë futboll më cilësor, për faktin se diferenca e vogël e pikëve në garën për titull, po ashtu edhe për mbijetesë, do të jetë e “nxehtë”. Sulmuesi kryesor i Besës së Pejës, Haxhi Zeka, të mërkurën ka thënë se stinori pranveror do të sjellë futboll më kualitativ. Sipas Zekës, sezoni vjeshtor ka treguar rritje të cilësisë, prandaj ai beson se stinori pranveror do të jetë edhe më cilësor. “Duhet te jemi realistë se pjesa e parë e garave ka dhënë shenja të rritjes së kualitetit të futbollit. Jam optimist se në stinorin pranveror cilësia e lojës së futbollit do të ketë ngritje edhe më të lartë”, ka thënë Zeka. “Bazuar në kushtet në të cilat zhvillohet futbolli ynë, nuk mund ta presim kualitetin që ne e dëshirojmë. Por, besoj se do të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim”. “Ikona” pejane thotë se diferenca e vogël e pikëve në mes të skuadrave që gjenden në pjesën e epërme të tabelës, bën që gara për titull të jetë mjaft e “nxehtë”. “Trepça, Hysi, Liria, por edhe Prishtina e Besa do të jenë skuadrat që do ta kenë fjalën kryesore në rrugën drejt titullit të kampionit. Çdo ‘kiks’ të Trepçës dhe Hysit, Besa nuk do ta falë”, ka theksuar Zeka.
Llumnica: Rivaliteti dhe cilësia do ta bëjnë më të “nxehtë” kampionatin Optimist se stinori pranveror në futboll do të jetë më cilësor e më interesant është shprehur edhe kapiteni i kampiones në fuqi, FC Prishtina, Isuf Llumnica. Sipas tij, përforcimet nëpër klube si dhe përgatitjet e bëra japin shpresë se garat pranverore do të jenë joshëse e dramatike. “Duke marrë parasysh përforcimet, përgatitjet dhe atmosferën nëpër klube, gjithsesi bëjnë të kuptosh që do të kemi një stinor shumë më cilësor. Pranvera gjithmonë është më e ‘nxehtë’, e unë them se këtë herë do të jetë edhe më e ‘nxehtë’, në kuptimin e rivalitetit dhe cilësisë. Lufta për titull dhe ekzistencë do të jetë shumë më e madhe”, ka thënë Llumnica, i cili thotë se skuadra e tij do të futet në garën për titull. “Në skuadrën time atmosfera është e mirë, dhe se, ardhja e trajnerit Ramiz Krasniqit do të ndikojë pozitivisht. Jam i bindur se Prishtina shumë shpejt do të hyjë në garën për titull, pasi, siç dihet, në vjeshtë kemi mbetur paksa mbrapa me pikë, në krahasim me kryesuesit e renditjes”, ka pohuar Llumnica.
Osmani beson në një garë korrekte Ndërkohë, edhe kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani, beson se pjesa e dytë e garave do të jetë më cilësore. Ai thotë se do gara për titull, por edhe për ekzistencë do të jetë korrekte. “Besoj se do të ketë futboll më cilësor. Jam i bindur se nuk do të ketë probleme dhe se, do të zhvillohet një garë korrekte në betejën për titull, po ashtu edhe në garën për ekzistencë”, ka thënë Osmani. Ai ka shtuar se skuadra e tij do të dalë kampione. “Trepça, Hysi dhe Liria do të garojnë për kreun e tabelës. Besoj se ne kemi skuadrën më të mirë. Jam optimist se Trepça do ta fitojë titullin e kampiones”, ka përfunduar Osmani.
Fatmir Bytyci
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2726 |