Genc Hoxha: Jam i kenaqur me fillimin! | ||||
|
Trajneri i Besës së Pejës, Genc Hoxha, ka thënë se është i kënaqur me fitoren e arritur ndaj kampiones në fuqi, Prishtinës. Besa në hapje të këtij sezoni mundi Prishtinën 3-1, duke bërë një hap progresiv në rrugën drejt kreut të tabelës. Hoxha ka thënë se, përveç trepikëshit, është i kënaqur edhe me paraqitjen që kanë shfaqur të përzgjedhurit e tij. “Jam i kënaqur që startuam me fitore në sezonin pranveror. Ajo që më bën të lumtur dhe më motivon dhe më shumë është paraqitja e mirë e skuadrës në ballafaqim me Prishtinën”, ka thënë Hoxha, duke shtuar ndërkohë se “bazuar në lojën që kemi shfaqur, e kemi merituar fitoren, për faktin se kemi zhvilluar lojë të mirë, që në fund na dha trepikëshin e parë në këtë sezon”. Sipas Hoxhës, fitorja ndaj Prishtinës tashmë ka futur ekipin e tij të mendoj për titull të kampionit. Ai thotë se skuadra e tij është e gatshme ta ngushtojë diferencën e pikëve në raport me liderin e tabelës, Trepçën. “Liderja e tabelës, Trepça, ka shtatë pikë më shumë se ne, mirëpo nëse në skuadrën time nuk do të kemi ndonjë lëndim të lojtarëve, jam i bindur se do të jemi skuadër serioze, që do ta ndjekim Trepçën në hap. Asnjë ‘kiks’ të saj s’do ta falim”, ka thënë trajneri i Besës, Hoxha, i cili shton se “garat e këtij edicioni tashme veç sa kanë filluar dhe se, sipas tij, gara për titull të kampionit është e hapur. “Ne kemi punuar shumë gjatë përgatitjeve, megjithëse nuk kishim kushtet që një pjesë të përgatitjeve ta zhvillojmë jashtë Kosovës, por me punën që kemi bërë gjatë stërvitjeve dhe fondin aktualisht që kemi në dispozicion, Besa do të luajë rol të rëndësishëm në këtë edicion të garave”, ka përfunduar timonieri i pejanëve, Genc Hoxha. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2299 |