Raiffeisen Superliga/ Prishtina barazoi pa gola me Besën | ||||
|
Prishtina nuk ka arritur t’i shfrytëzojë barazimet e dy ndjekësve më të afërt, Trepçës’89 dhe Trepçës për ta shtuar epërsinë në kreun e tabelës, pasi ka barazuar edhe vet, të dielën, në duel me Besën, në kryeqytet. Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit, megjithëse ka pasur dy-tri raste të mira. Mundësinë më të mirë në pjesën e parë e pati Argjend Malaj, në minutën e 45-të, por gjuajtja e tij me kokë qëlloi tërthorësen e portës së Valmir Bytyçit. Ndërkaq, në pjesën e dytë rastin më të mirë e pati Driton Krasniqi, i cili gjuajti furishëm nga largësia, por portieri pejan arriti ta çojë topin mbi portë. Në anën tjetër, edhe pejanët kishin disa mundësi të mira shënimi. Në pjesën e parë nga pozita të mira dështuan Vokshi, Kasapi e Gashi, derisa rastin më të mirë e shpërdoroi Haxhi Zeka, në minutën e 87-të kur nga një pozitë ballore nga brendësia e zonës gjuajti mbi portën e Mushicës. Pa gola u mbyll edhe ndeshja në Drenas, ndërmjet Feronikelit dhe Hajvalisë. Ndërkohë, Llamkos Kosova shkëputi tri pikë tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke e mundur Hysin, me rezultat 2:0, me gola të Alban Dragushës (24’) dhe Faton Zejnullahu (40’). Në ndeshjen e fundit të ditës së sotme, Liria pësoi humbje si vendase (në Gjakovë) në duel me Dritën, me rezultat 3:1, duke i zbehur edhe më shumë gjasat për mbijetesë. Dy gola të Ismet Ramushit dhe një tjetër i Bashkim Ahmetit në pjesën e parë ia sollën tri pikë të rëndësishme skuadrës së Arbnor Morinës, derisa golin e nderit për prizrenasit e shënoi Leutrim Brahimaj. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 6803 |