Tirana/ Albana Tafaj : Rubios ia kemi plotësuar të gjitha dëshirat, veç Muzakës | ||||
|
Menjëherë pas miqësores së fituar 1-0 ndaj Flamurtarit, trajneri i bardhebluve, Hulian Rubio Sançez, është ankuar për kërkesat e paplotësuara për sa u përket lojtarëve të piketuar për t’u afruar në skuadër. Teknikut spanjoll i është kundërpërgjigjur drejtori teknik i 24-herë kampionëve të vendit, Alban Tafaj, i cili ka sqaruar situatën në merkato dhe ka konfirmuar se në arkë janë ende 300-mijë euro në dispozicion për t’u përdorur në merkato. Pas ndeshjes me Flamurtarin, ankesa e Rubios duket se është më shumë si një shfryrje kundrejt lëvizjeve nën rrogoz që bëjnë klubet shqiptare në merkato, më saktë i referohet humbjes së Muzakës, i cili falë ofertës më të mirë zgjodhi Flamurtarin. Po ashtu Rubio la të kuptohet se ekipi ka ende nevojë për përforcime të tjera. “Tashmë unë i kam bërë të qarta kërkesat e mia në merkato, madje që në mars. Mirëpo ka ekipe që prishin merkaton, duke ofruar shifra të çmendura. Na nevojitet një qendërsulmues, një mesfushor i djathë, një organizator si Mahmud al Ajmi”, u shpreh të mërkurën tekniku spanjoll, i cili kërkon që sa më shpejt këta lojtarë t’i vihen në dispozicion nga klubi, por kjo duket se nuk është përtypur si duhet nga njeriu përgjegjës për merkaton e kampionëve rekordmenë të futbollit shqiptar, drejtorit teknik Alban Tafaji. Ky i fundit ka këmbëngulur në prononcimin e tij se janë plotësuar të gjitha kërkesat e Rubios, përjashto atë për afrimin e ish-mesfushorit të Skënderbeut, Muzakës, i cili preferoi milionat e Flamurtarit dhe jo ofertën e bardhebluve. Merkatoja e klubit tonë ka filluar që në qershor, përpara impenjimit të skuadrës në Kupat e Europës, sqaron drejtori Tafaji. Në bashkëpunim me trajnerin Rubio atëherë afruam në ekip Mirel Çotën, Entonio Pashain dhe Elton Muçollarin. Ndërsa gjatë javëve të fundit kemi firmosur edhe me sulmuesin Arbër Abilaliaj”, por këta nuk kanë qenë lojtarët e vetëm të kërkuar nga trajneri Rubio. Ai ka këmbëngulur që klubi të afrojë edhe Muzakën, por tratativat me ish-futbollistin e Partizanit, Dinamos, Tiranës dhe Skënderbeut rezultuan të dështuara. Tafaj e pranon: “Insistuam shumë për të afruar edhe Muzakën, por nuk ishte e mundur”. Megjithatë drejtori teknik këmbëngul se Rubio nuk ka arsye pse të mërzitet, pasi klubi ka një fond prej 300-mijë eurosh, të cilat trajneri mund t’i përdorë në merkato. “Kemi bashkëpunuar maksimalisht me trajnerin, pasi dihet se ishte ai përgjegjësi maksimal për formimin e këtij grupi, rrëfen më tej Tafaj. I kemi kërkuar edhe emrat konkretë, pasi klubi ka një fond prej 300-mijë eurosh që mund të përdoren për merkaton. Për mendimin tim ekipi është thuajse i kompletuar. Megjithatë presim që Rubio të thotë fjalën e tij. Nëse do të ketë ndonjë lojtar cilësor ne do të jemi të gatshëm të negociojmë, por për momentin nuk kemi asnjë emër konkret”. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3117 |