Ne fokus/ Besa rrezikon dënimin e fushës pas ngjarjeve ndaj Tiranës | ||||
|
Një pezullim fushe mund të jetë dënimi për Besën e Kavajës. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) pritet të mblidhet të mërkurën dhe Kodi i Drejtësisë Sportive parashikon disa masa ndëshkuese. Klubi kavajas mund të dënohet për t’i zhvilluar ndeshjet pa praninë e spektatorëve në stadiumin e vet, por edhe t’i pezullohet fusha. Goditja e lojtarëve apo trajnerëve kundërshtarë nga zyrtarë vendas bën pjesë tek shkeljet e rënda. Ndërkaq, vetë kryebashkiaku Roshi mund të dënohet me të paktën 9 ndeshje pezullim dhe gjobë nga 100 deri në 300 mijë lekë. Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Besa u dënua me 6 javë pezullim të stadiumit, duke i luajtur ndeshjet në fushë asnjanëse, pas ndeshjes me Skënderbeun. Në atë ndeshje, kavajasit u dënuan të akuzuar për hedhje të sendeve të forta në fushë duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të lojës dhe për sjellje ofenduese të spektatorëve. Kavajasit u ankuan në atë kohë se u përdorën dy standarde nga Disiplina në Federatë, pasi sipas tyre për një rast të ngjashëm Skënderbeu u dënua vetëm me një ndeshje pezullim të fushës. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3064 |